Ai krijoi cdo gjë

Ai krijoi cdo gjë

Ai krijoi cdo gjë

0 comments 📅17 July 2017, 10:00

Allahu krijoi shtatë qiej, e prej tyre zgjodhi më të lartin si banesë për engjëjt e afruar tek Ai. Qiellin e shtatë e veçoi me cilësinë e afërsisë te Kursijj-i dhe Froni i Tij. Në këtë qiell vendosi ato krijesa të Tij që dëshironte. Qielli i shtatë ka epërsi mbi gjithë qiejt e tjerë. Mjafton si fakt vetëm afërsia tek Allahu i Madhëruar. Ky parapëlqim e veçim për një qiell – duke ditur se të gjithë qiejt kanë të njëjtën strukturë ndërtimi – është një argument i qartë që tregon fuqinë dhe urtësinë e plotë të Allahut dhe faktin se Ai krijon e zgjedh çfarë të dojë.

Këtë tregon edhe fakti që Allahu i Madhëruar e ka parapëlqyer dhe e ka veçuar xhenetin Firdeus ndaj gjithë xheneteve të tjera, duke vendosur Fronin e Tij si kupolë mbi të.[1] Në disa transmetime thuhet: “Allahu e mbolli atë me dorën e Tij dhe e zgjodhi për krijesat e Tij më të mira”.

Dëshmi tjetër është zgjedhja e disa melekëve nga të tjerët, si: Xhibrili, Mikaili, Israfili, etj. Profeti thoshte: “O Allah! Zoti i Xhibrilit, Mikailit dhe Israfilit, Krijuesi i qiejve dhe i tokës, i Dituri me të fshehtën dhe të dukshmen! Ti gjykon mes robërve të Tu, nëse ata kanë konflikt! Më udhëzo për tek e drejta, me lejen Tënde. Vërtet Ti udhëzon kë të duash në Rrugën e Drejtë”.[2] Ai ka përmendur vetëm këta tre engjëj, për shkak të veçimit, zgjedhjes dhe afërsisë së madhe të tyre tek Allahu. Sa e sa engjëj të tjerë ka në qiej veç tyre, por ai ka veçuar këta të tre. Xhibrili është meleku i Shpalljes, me anë të së cilës jeton zemra e shpirti. Mikaili është engjëlli i shiut, me të cilin i jepet jetë tokës, kafshëve dhe bimëve. Israfili është engjëlli i Surit (bririt), të cilit kur ai do t’i fryjë, kjo fryrje do të ringjallë të vdekurit,  me lejen e Allahut dhe do t’i nxjerrë nga varret e tyre.

Tregues është edhe zgjedhja e profetëve prej bijëve të Ademit a.s., që ishin gjithsej 124.000 (njëqind e njëzet e katër mijë). Prej tyre zgjodhi vetëm 313 (treqind e trembëdhjetë) të dërguar, sikurse përmendet në hadithin e përcjellë nga Ebu Dherri, të gjendur në ‘Musned’-in e imam Ahmedit dhe në librin e saktë të Ibn Hibanit.[3] Prej këtyre treqind e trembëdhjetë të dërguarve, Allahu zgjodhi Ulul Azm-ët (më të vendosurit), që ishin pesë. Ata janë përmendur në ajetin e shtatë të sures Ahzabë: “…kur Ne morëm nga pejgamberët besën e tyre dhe prej teje, edhe prej Nuhut, Ibrahimit, Musait dhe Isait – të birit të Merjemes. Ne morëm prej tyre besë të fortë.” Si dhe në suren Shura, ajeti 13: Ai ka urdhëruar për ju atë Fe, të cilën ta zbuloi ty (o Muhamed) dhe që pati urdhëruar për Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, duke thënë: “Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!”. Prej këtyre më të zgjedhurve, Allahu zgjodhi dy të dashurit e Tij: Ibrahimin dhe Muhamedin (s.a.u.s.).

Për këtë flet edhe zgjedhja e pasardhësve të Ismailit prej gjithë njerëzve. Prej pasardhësve të Ismailit, Allahu zgjodhi Kinanen, prej pasardhësve të këtij të fundit zgjodhi fisin Kurejsh, prej tyre zgjodhi fisin Hashimij dhe prej tyre zgjodhi zotëriun e njerëzve, Muhamedin (s.a.u.s.).[4]

Ose zgjedhja e sahabëve nga gjithë njerëzit. Prej tyre, Allahu zgjodhi të parët në Islam. Prej tyre, gjithashtu, zgjodhi luftëtarët e Bedrit dhe ata që dhanë besën e Kënaqësisë. Allahu zgjodhi për ta fenë më të plotë, ligjet më të mira, moralet më të larta e më të mira.

E tillë është edhe zgjedhja e popullit të Muhamedit ndër gjithë popujt e tjerë. Në ‘Musned’-in e imam Ahmedit, është hadithi i përçuar nga Behz Ibn Hakim Ibn Muavije Ibn Hajdeh, ky nga i ati, e ky nga gjyshi i tij, se Profeti ka thënë “Me ju numri i umeteve plotësohet shtatëdhjetë. Ju jeni më të mirët dhe më të nderuarit e të gjithë umeteve tek Allahu.”[5] Ali Ibn Medini dhe Ahmedi thonë që hadithi që Behz Ibn Hakimi sjell nga i ati, e ky nga i gjyshi, është hadith i saktë.

Ndikimi i përzgjedhjes së këtij umeti shfaqet edhe në veprat, etikën dhe besimin e tyre, si dhe në gradat e tyre në Xhenet dhe në pozitat e tyre në vendqëndrim përpara Allahut, Ditën e Gjykimit. umeti ynë do të jenë më lart se gjithë njerëzit e tjerë. Në Ditën e Gjykimit, ata do të qëndrojnë mbi vende të ngritura, dhe që andej do të shohin gjithë njerëzit e tjerë. Tek Tirmidhiu, është hadithi i Burejde Ibn Husajb el Eslemit, i cili tregon se Profeti ka thënë: “Banorët e Xhenetit janë njëqind e njëzet rreshta: tetëdhjetë prej tyre do të jenë prej këtij populli, e dyzet prej tyre nga popujt e tjerë.”[6] Tirmidhiu thotë se ky hadith është hasen sahih.

Në ‘Sahih’ është hadithi që flet për banorët e Zjarrit, përcjellë nga Ebu Seid el Hudriu, se Profeti ka thënë: “Pasha Atë që e ka shpirtin tim në dorë të Tij, unë shpresoj që ju të jeni gjysma e banorëve të Xhenetit.”[7] Në këtë hadith Profeti nuk ka përmedur më shumë se kaq. Tani, ose duhet të thuhet që versioni i dytë është më i sakti, ose të thuhet se ishte dëshira e Profetit që populli i tij të ishte gjysma e Xhenetit, dhe Allahu i Madhëruar e bëri me dije që ata do të jenë tetëdhjetë rreshta, nga njëqind e njëzet të tilla, në Xhenet.[8] Kësisoj, s`ka mospërputhje mes dy haditheve. Megjithatë, Allahu e di më së miri.

Nga shenjat e përzgjedhjes dhe favorizimit të këtij umeti është edhe fakti që Allahu i ka dhuruar më  shumë dituri dhe urtësi sesa popujve të tjerë. Në ‘Musned’ të Bezzarit është hadithi i Ebu Dardas, që tregon se ka dëgjuar Profetin (s.a.u.s.) të thotë: “Allahu i Madhëruar i tha Isait të birit të Merjemes: “Unë do të dërgoj pas teje një popull që, nëse do t’u ndodhë diçka që e duan, do të lavdërojnë e do të falënderojnë Allahun, e nëse do t’u ndodh diçka që nuk e duan, do të durojnë dhe do të shpresojnë shpërblime prej Allahut. Ata s`do të kenë durim e as dituri.” Tha (Isai): “O Zot, si është e mundur që ata s`do të kenë as durim e as dituri?” Tha (Allahu): “Do t`u jap prej durimit dhe diturisë Sime.”[9]

Në këtë kontekst është edhe përzgjedhja që i ka bërë Allahu disa vendeve dhe qyteteve, më i nderuari nga të cilët është Vendi i Shenjtë (Meka). Allahu i Madhëruar e zgjodhi atë për Profetin e Tij (s.a.u.s.) dhe e bëri vend pelegrinazhi për robërit e Tij. Ai i obligoi robërit e Tij që ta vizitojnë atë vend, qofshin afër apo larg. Kështu, njerëzit hyjnë atje veçse të thjeshtë, të përulur, të nënshtruar, me koka të zbuluara dhe pa rrobat e zakonshme. Atë vend Zoti e bëri të sigurt: atje nuk derdhet gjaku, nuk pritet pemë, nuk trembet gjahu, nuk shkulen e as nuk këputen bimët dhe nuk merret sendi i gjetur për ta përvetësuar, por veçse për të gjetur të zotin e tij. Ai që shkon atje për qëllim adhurimi, i falen gjithë gjynahet e shkuara dhe i fshihet gjithçka e keqe. Në dy ‘Sahih’-ët është hadithi i Ebu Hurejres që tregon se Profeti ka thënë: “Kush vjen tek kjo Shtëpi dhe nuk e fëlliq gojën, nuk bën marrëdhënie seksuale gjatë gjendjes së ihramit dhe nuk bën gjynahe, ka për t’u kthyer prej saj i pastër nga gjynahet si atë ditë që e ka lindur nëna”.[10] Po ashtu, atij që shkon në Mekë, për kryerjen e Haxhit, Allahu pëlqen t’i japë si shpërblim veçse Xhenetin. Në ‘Sunen’, është hadithi i Abdullah Ibn Mesudit (r.a.) i cili rrëfen se Pejgamberi ka thënë: “Lidhni Haxhin me Umren, duke i kryer shpesh njëri pas tjetrit, se ato të dyja zhdukin varfërinë dhe gjynahet sikurse zjarri i farkës heq zgjyrën prej hekurit, argjendit dhe arit. Haxhi i pranuar, që nuk përzihet me gjynahe, ka si shpërblim veçse Xhenetin.”[11] Në dy ‘Sahih’-ët, është hadithi i Ebu Hurejrës, që tregon se i Dërguari i Allahut (s.a.u.s.) ka thënë: “Umra deri në umren tjetër[12] është fshirëse e gjynaheve që bëhen midis tyre. Haxhi i pranuar ka si shpërblim veçse Xhenetin.”[13] Nëse nuk do të ishte ky vend më i dashuri dhe më i zgjedhuri i Allahut, Ai nuk do ta bënte vend pelegrinazhi për njerëzit. Allahu ua bëri detyrë njerëzve të udhëtojnë drejt tij për pelegrinazh. Ai e ka quajtur Haxhin si një nga detyrat kryesore të Islamit. Allahu i Madhëruar është betuar për këtë vend në Librin e Tij të nderuar dy herë: “Pasha këtë qytet të sigurisë (Mekën)!”  (Tin, 3); “Betohem për këtë qytet (Mekën)!”  (Beled, 1).

[1] Buhariu, që sjell rrëfimin se Ebu Hurejra tregon se Profeti ka thënë: “Xheneti ka njëqind gradë, të cilat Allahu i ka përgatitur për muxhahidinët në rrugë të Tij. Distanca midis tyre është sa largësia midis qiellit dhe tokës. Nëse i luteni Allahut për Xhenet, lutjuni për Firdeusin, sepse ai është më i miri i xheneteve dhe më i larti i tyre. Sipër tij është Arshi i Mëshiruesit dhe prej tij burojnë lumenjtë e Xhenetit.”

[2]   Muslimi, në “‘Sahih’”, me nr. 770. Ebu Selemeja e pyeti Aishen: “Me çfarë e fillonte Profeti namazin e tij të natës?” Ajo tha: “Me duanë: “O Allah! Zoti i Xhibrilit, …” deri në fund.

[3]  Ahmedi. Sened-i është i dobët, sepse ka tre transmetues të dobët. Hadithin e ka sjellë edhe Ibn Hibani, por në senedin e tij gjendet Ibrahim Ibn Hishami, për të cilin Ebu Hatimi ka thënë se është gënjeshtar. Kurse Hakimi në “Mustedrek” sjell rrëfimin e Ebu Umames se një burrë i tha të Dërguarit të Allahut: “A ishte Ademi profet?” Ai u përgjigj: “Po, Zoti e ka frymëzuar dhe i ka folur.” Ai e pyeti sërish: “Sa kohë kaloi midis tij dhe Nuhut?” Pejgamberi u përgjigj: “Dhjetë breza.” – “Sa kohë pati midis Nuhut dhe Ibrahimit?” – “Dhjetë breza.” Pastaj e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, sa ishte numri i të dërguarve?” Ai tha: “Treqind e pesëmbëdhjetë, një grumbull i madh.” Senedi është i saktë, sipas kushteve të Muslimit, siç e vlerëson Hakimi dhe e miraton Dhehebiu.

[4]  Muslimi në “‘Sahih’”. Tirmidhiu thotë se hadithi është hasen sahih.

[5]  Ahmedi në “Musned” .  Ibn Maxha në “Sunen”, me nr.4288.  Tirmidhiu në “Sunen”, me nr. 3004. Ai thotë që hadithi është hasen. Ndërsa Hakimi e quan të saktë, dhe me këtë bie dakord edhe Dhehebiu.

[6]  Tirmidhiu, Ahmedi, Ibn Maxha dhe Hakimi.

[7] Kjo është pjesë prej një hadithi të gjatë tek Muslimi, si rrëfim i Ebu Seid el Hudriut. Në këtë temë është edhe hadithi prej Ibn Mesudit, sjellë nga Buhariu dhe Muslimi.

[8] Hafidh Ibn Haxher el Askalani thotë: “Duket sikur Profeti ka shpresuar mëshirën e Allahut që, populli i tij të jetë sa gjysma e Xhenetit. Allahu ia dha atë që dëshironte, madje i shtoi më shumë se aq.”

[9]  Gjithashtu Ahmedi në “Musned”, si rrëfim të Ebu Dardasë, me sened hasen. E ka përmendur edhe Hejthemi në “Mexhmea Zeuaid”.

[10]  Buhariu dhe Muslimi. Teksti këtu është i Muslimit.

[11] Tirmidhiu, Nesaiu, Ahmedi, me sened hasen.

[12] Një shpjegim tjetër është kështu: ‘Umra bashkë me një umre tjetër fshijnë gjynahet që bëhen midis tyre’. Kësisoj, sipas shpjegimit të parë, del se ajo që fshin gjynahet është umreja e parë, kurse sipas të dytit, del se të dyja së bashku bëhen shkak për fshirjen e gjynaheve. Gjithsesi, hadithi dëshmon se është e pëlqyeshme të bësh umre sa më shpesh.

[13]  Buhariu dhe Muslimi.

IBN KAJJIM EL XHEUZIJJE
Zadul Mead

©xhamiambret.com

Share this article:

No Comments

No Comments Yet!

You can be first one to write a comment

Leave a comment