Përse duhet të kesh shpresë

Përse duhet të kesh shpresë

Përse duhet të kesh shpresë

0 comments 📅14 July 2017, 09:00

Ai që shpreson në realizimin e diçkaje, duhet të plotësojë tre kushte:

– Ta dojë atë për të cilën shpreson.

– Të ketë frikë se mos ajo i shpëton pa u bërë realitet.

– Të bëjë ç’është e mundur për realizimin e saj.

Çdo shpresë që nuk shoqërohet me këto kushte, nuk është gjë tjetër veçse një iluzion.

Shpresa është diçka dhe iluzioni diçka tjetër. Çdo njeri që shpreson, ka frikë. Kështu, nëse njeriu që ecën rrugës ka frikë se mos i ndodh ndonjë gjë, ai do t’i shpejtojë hapat.

Ebu Hurejre transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush ka frikë, shpejton dhe kush shpejton, arrin në shtëpi. Me të vërtetë, malli i Allahut është i shtrenjtë. Me të vërtetë, malli i Allahut është Xheneti.”[1]

Ashtu siç e vuri shpresën në shërbim të njerëzve që veprojnë vepra të mira, Allahu vuri edhe frikën në shërbim të njerëzve që i bëjnë këto vepra. Dihet se frikë dhe shpresë e dobishme është ajo që shoqërohet me punë të mira. Allahu thotë: “Vërtet, ata që kanë frikë nga Zoti i tyre dhe që u besojnë argumenteve të Tij, ata që nuk i përshkruajnë shok Zotit, ata të cilët japin lëmoshë nga ajo që u është dhënë dhe zemrat e tyre i kanë të frikësuara, sepse e dinë se do të kthehen te Zoti i tyre, të tillët janë ata që kanë nxituar drejt të mirave dhe që do të jenë të parët në arritjen e tyre.”[2]

Et-Tirmidhiu transmeton se Aishja (r.a) ka thënë: “E pyeta të Dërguarin e Allahut rreth këtij ajeti, duke iu drejtuar me këto fjalë: “A bëhet fjalë për ata që pijnë verë, që bëjnë imoralitet dhe që vjedhin?” Ai u përgjigj: “Jo, o e bija e Sidikut (Ebu Bekrit), por këta janë njerëzit që agjërojnë, që falen, që japin lëmoshë dhe që kanë frikë se mos nuk u është pranuar. Këta njerëz shpejtojnë drejt të mirave!”[3]

Transmetohet përsëri nga hadithi i Ebu Hurejres.[4]

Allahu xh.sh i ka cilësuar ata që bëjnë vepra të mira si të lumtur, edhe pse kanë frikë dhe i ka cilësuar ata që kryejnë vepra të këqija si keqbërës, edhe pse ndjehen të sigurtë.[5]

Ai që vëren me kujdes sjelljen e sahabëve, do të shohë se ata kanë qenë të preokupuar në kryerjen e veprave të mira, por janë shoqëruar edhe nga frika e madhe, kurse te ne janë bashkuar mangësitë në kryerjen e veprave të mira (shpesh edhe neglizhenca) me sigurinë.

Ebu Bekri (r.a) ka thënë: “Do të doja të isha një qime prej trupit të robit besimtar.” Kjo thënie e tij është përmendur nga Ahmedi[6].

Thuhet se ai kapte gjuhën e tij dhe thoshte: “Kjo më ka sjellë shumë telashe.”[7]Ai qante shpesh dhe thoshte: “Qani, e nëse nuk qani dot, bëni sikur qani!”[8]Kur ngrihej  për t’u falur, ai dukej si një shkop nga frika prej Allahut xh.sh.[9]Njëherë, kur i dhanë në dorë një zog, ai tha: “Nuk gjuhet një gjah e nuk pritet një pemë, vetëm si pasojë e lënies pas dore të tesbihut prej saj (mos madhërimit të Allahut prej saj).”[10] Kur po i afrohej vdekja, ai (Ebu Bekri) i tha Aishes: “O bija ime! Si pjesë prej pasurisë së muslimanëve më ka rënë kjo pelerinë, kjo enë për qumështin dhe ky rob. Shpejto me to drejt Ibn Hatabit.”[11] Gjithashtu, ai ka thënë: “Do të doja të isha si kjo pemë që hahet e krasitet”. Kudate ka thënë: “Më kanë treguar se Ebu Bekri ka thënë: “Do të doja të isha bar, të cilin e hanë kafshët.”[12]

Njëherë, Umeri po lexonte suren “Et-Tur”. Kur arriti tek ajeti: “Me të vërtetë, dënimi i Zotit tënd do të ndodhë”[13], ai qau dhe e qara e tij u shtua, derisa u sëmur dhe e vizituan.[14] Kur i erdhi vdekja, Umeri iu drejtua djalit të tij, duke i thënë: “Shpejto, vëre në tokë fytyrën time, se ndoshta kështu më mëshiron (Allahu)”. Më pas, ai tha: “Mjerë moj nënë, sikur të mos më falë!” E tha tri herë këtë fjali, derisa dha shpirt.”[15] Kur e dëgjonte këtë ajet (Et-Tur,7) gjatë kontrollit të tij natën, ai frikësohej dhe mbyllej në shtëpi për ditë të tëra, aq sa njerëzit mendonin se ishte i sëmurë.[16]Në fytyrën e tij dalloheshin dy vija të zeza prej të qarit.[17]

Njëherë, Ibn Abasi i tha: “Allahu ka pushtuar prej teje vende të tëra, ka sunduar pushtime te mëdha, ka bërë e ka bërë plot.

Ai iu përgjigj: “Do të doja vetëm të shpëtoja, as shpërblime dhe as mëkate.”[18]

I treti që do të përmendim nga sahabët është Othmani (r.a). Kur ndalonte te varret, qante derisa i lagej mjekra.[19] Ai shprehej me këto fjalë: “Sikur të isha midis Xhenetit dhe Zjarrit, e nuk do ta dija se për ku do të më urdhëronte të shkoja, unë do të zgjidhja të isha pluhur para se ta dija se për në cilin vend isha destinuar.”[20]

Aliu (r.a) kishte frikë prej dy gjërave, shpresës së gjatë dhe ndjekjes së epshit. Për këtë, thoshte: “Të shpresuarit e gjatë më bën të harroj botën tjetër, kurse ndjekja e epshit më ndalon nga e vërteta. Me të vërtetë, kjo botë po lihet pas dhe bota tjetër është përpara. Secila prej këtyre botëve ka fëmijët e saj. Jini prej fëmijëve të botës tjetër dhe jo të kësaj bote, sepse e sotmja është punë pa llogari, kurse e nesërmja është llogari e jo punë.”[21]

Një sahab tjetër, Ebu Derdai (r.a) thoshte: “Ajo që kam më tepër frikë për veten time është që në ditën e gjykimit, të më thuhet: O Ebu Derda, mësove dhe nuk veprove sipas asaj (që mësove).”[22]

Gjithashtu, ai thoshte: “Sikur ta dinit se çfarë do të gjenit pas vdekjes, nuk do të hanit ushqim me qejf, e as nuk do të pinit me qejf, as nuk do të hynit në shtëpi për të ndenjur nën hije, do të dilnit në shesh për të goditur gjokset tuaja e do të qanit për veten. Do të doja të isha pemë që  të krasitej e më pas të hahej.”

Abdullah Ibn Abasi e kishte të nxirë pjesën e poshtme të syve të tij, si rezultat i qarjes së tepërt.

Ebu Dherri thoshte: “Ah sikur të isha pemë që krasitet! Do doja të mos isha krijuar!”

Kur i ofruan një lëmoshë, ai tha: “Kemi një dhi që e mjelim, disa gomerë me të cilët lëvizim, një shërbëtor, një pelerinë tepër dhe kam frikë kur të jap llogari për to.”

Një natë, kur Temimu Ed-Dariu po lexonte suren “El-Xhathijeh”, ai arriti te fjala e Allahut xh.sh: “A menduan ata që bënë të këqija (se në jetën dhe vdekjen e tyre) Ne do t’i bëjmë të barabartë me ata, të cilët besuan dhe bënë vepra të mira?” Pasi e lexoi këtë ajet, ai filloi ta përsëriste dhe të qante, deri në agim.

Ebu Ubejde Amir Bin El-Xherah ka thënë: “Do të doja të isha dash, të më therte familja, të ma hanin mishin dhe lëngun tim ta bënin supë.”

Buhariu[23] në “Sahihun” e ka titulluar një kapitull me këtë titull: “Frika e besimtarit se mos i prishen punët pa u ndjerë”

Ibrahim Et-Temimi ka thënë: “Sa herë që i kam ballafaquar fjalët me punët e mia, kam patur frikë se mos jam gënjeshtar”.

Ibn Ebu Mulkijeh ka thënë: “Kam qënë bashkëkohës i tridhjetë prej shokëve të të Dërguarit. Ata kanë qenë aq të frikësuar nga dyfytyrësia e vetes, saqë asnjëri prej tyre nuk thoshte se kishte besimin e Xhibrilit dhe Mikailit.”

Transmetohet se El-Hasani ka thënë: “Prej dënimit të Allahut nuk ka frikë kush tjetër veç besimtarit dhe nuk është i sigurtë kush tjetër, veç hipokritit (munafikut).”

Umer Bin Hatabi e pyeste Hudhejfen: “A më ka përmendur prej munafikëve i Dërguari i Allahut? Hudhejfe i përgjigjej: “Jo, jo dhe nuk do të jap më garanci për dikë tjetër pas teje.”

E kam dëgjuar shejhun tonë[24] duke thënë: “Me këto fjalë, ai nuk ka për qëllim të thotë se nuk i garantoj të tjerët përveç teje nga nifaku (hipokrizia), por nuk dua t’i hap vetes punë për t’i dhënë garanci çdo njeriu që vjen për të më pyetur të njëjtën gjë.”

Shumë afër kësaj teme është edhe fjala e Profetit (a.s) drejtuar personit që i kërkoi t’i bënte dua’ që të ishte prej shtatëdhjetë mijë vetëve, të cilët do hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari: ‘Ta kaloi Ukashe.”[25]

Këtu, i Dërguari i Allahut nuk kishte për qëllim të thoshte se Ukashe është i vetmi, të cilit i takon një gjë e tillë, por nëse do të lutej për të, do të tregohej i hapur që çdokush ta bënte këtë kërkesë, madje mund ta kërkonte këtë edhe ndonjë që nuk i takonte të ishte prej tyre, kështu që të mjaftuarit me kaq ishte më i dobishëm. Allahu e di më së miri! [26]

[1] – “Xhamiu Et-Tirmidhi” (2452). Transmetojnë Buhariu në “Historikun” e tij (178), El-Hakimi (307/4), Abdullah Bin Humejdi në “Musnedin” e tij (1458) dhe Eb-Begaui në “Sherhul Sun-neh” (4173).

[2] – El-Mu’minune 57-61.

[3] – El-Xhamiu (3175). Gjithashtu, ky hadith transmetohet nga Ibn Maxheh (4198), Ibn Xheriri (26/18), El-Hakimi (393/2) dhe Ahmedi (205, 109/6). Zinxhiri i transmetimit përbëhet nga njerëz të besueshëm, por ai është i ndërprerë. Këtë hadith e përforcon edhe hadithi  i transmetuar nga Ebu Hurejre, që do përmendet më poshtë.

[4] – E transmeton Ibn Xheriri (34/18), por në zinxhirin e transmetimit bën pjesë Muhamed Bin Humejd Er-razi, i cili është i dobët. Krahasoje me librin “Zinxhiri i saktë” (162) të shejh Albanit.

[5] – Ashtu siç përmendet në fjalën e Allahut xh.sh: “Dhe ata të cilët mbajnë lidhjen që Allahu e ka urdhëruar, që frikësohen nga Zoti i tyre dhe nga llogaria e keqe” (Era’ad 21), apo në ajetin tjetër: “A mos jeni të sigurtë se nuk do t’ju shkatërrojë në tokë, ose nuk do t’ju lëshojë ndonjë shtrëngatë e ju nuk do të keni mbrojtës?” (El-Isra’ë 69).

[6] -E transmeton Ahmedi në “Ez-Zuhd” (13/2).

[7] – E transmeton Ibn Sin-ni në “Puna ditore” (7), Ebu Ja’la (5), Ibn Ebi Ed-Dunja në “Es-Samt” (13), Maliku tek “El-Muata” (988/2), Ibn Ibi Shajbehu  (66/9), Ibn Mubareku (369). Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i saktë.

[8] – E transmeton Ahmedi në librin e tij “Ez-Zuhd” (13/2).

[9] – Shih: “Historia e Halifëve” (104).

[10] – E transmeton Ahmedi në “Ez-Zuhd” (15/2).

[11] – E transmeton Ahmedi në “Ez-Zuhd” (16/2).

[12] – E transmeton Ahmedi në “Ez-Zuhd” (17/2).

[13] – Et-Tur 7.

[14] – Shih komentin që vjen më pas.

[15] – E transmeton Ahmedi në “Ez-Zuhd” (81/2).

[16] – E transmetojnë Ahmedi në “Ez-Zuhd” (29/2) dhe Ebu  En-Nuajmi në “El-Hiljetu” (51/1).

[17] – E transmetojnë Ahmedi në “Ez-Zuhd” (30/2) dhe Ebu  En-Nuajmi (52/1).

[18] – E transmetojnë Ahmedi në (Ez-Zuhd”(34/2) dhe Ebu  En-Nuajmi (52/1).

[19] – E transmetojnë Et-Tirmidhiu (2424), Ibn Maxheh (4267) dhe Ebu  En-Nuajmi në “El-Hiljetu” (61/1).

[20] – E transmetojnë Ahmedi (42/2) dhe Ebu  En-Nuajmi (60/1).

[21] – E transmetojnë Ahmedi (48/2) në “Ez-Zuhd” dhe Ebu Nuajmi në “El-Hiljetu” (76/1).

[22] – Të gjitha transmetimet e shprehjeve që vijnë më pas janë bërë nga Ahmedi në librin e tij “Ez-Zuhd” dhe nga Ebu Nuajmi në librin e tij “El-Hiljetu”.

[23] – (109/1).

[24] -Ai është shejhul Islam Ibn Tejmije.

[25] -Transmetojnë Buhariu (6175) dhe Muslimi (216).

[26] – (sh.p): Bëhet fjalë për dua’në e të dërguarit të Allahut (a.s) për njërin prej sahabëve që quhej Ukashe, pas kërkesës së tij për të qënë njëri prej atyre shtëdhjetë mijë vetëve të cilët do të hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari. Kur i dërguari i Allahut (a.s) e bëri një gjë të tillë shumë prej të pranishmve e kërkuan të njëtën gjë por ai (a.s) i rrefuzoi duke iu drejtuar: “Ta kaloi Ukashe”.

nga Xhamiambret

Share this article:

No Comments

No Comments Yet!

You can be first one to write a comment

Leave a comment