Vendi i detyrueshëm që duhet ta vizitoj cdo musliman

Vendi i detyrueshëm që duhet ta vizitoj cdo musliman

Vendi i detyrueshëm që duhet ta vizitoj cdo musliman

0 comments 📅17 July 2017, 12:00

Nuk ka mbi sipërfaqen e tokës asnjë vend tjetër, që është i detyrueshëm për t’u vizituar nga çdo njeri që e ka mundësinë, e atje të bëjë tavaf rreth Qabes. Nuk ka mbi sipërfaqen e tokës asnjë vend tjetër përveç Gurit të Zi e këndit të Jemenit, që është i ligjëruar për t’u puthur apo prekur në formë adhurimi ndaj Allahut.[1] Prekja e këtyre dy vendeve në ndërtesën e Kabes është shkak për fshirjen e gjynaheve. Është vërtetuar se Profeti ka thënë që namazi në Vendin e Shenjtë (xhaminë Haram) është i barabartë me njëqind mijë namaze në çdo xhami tjetër. Në ‘Sunen’-in e imam Nesaiut dhe në ‘Musned’, me zinxhir të saktë transmetimi, shënohet se Abdullah Ibn Zubejri tregon që Profeti ka thënë: “Një namaz në xhaminë time është më i mirë se një mijë namaze në çdo xhami tjetër, përveçse në xhaminë Haram. Një namaz në xhaminë Haram është më i mirë se njëqind namaze në xhaminë time.”[2] Të njëjtin hadith e ka sjellë edhe Ibn Hibani në “‘Sahih’”.

Duket qartë se xhamia Haram është vendi më i mirë nga gjithë vendet e tokës, pa diskutim. Prandaj udhëtimi drejt saj është obligim, ndërsa drejt dy vendeve të tjera është e pëlqyeshme.[3] Në ‘Musned’-in e imam Ahmedit, tek imam Tirmidhiu dhe tek imam Nesaiu, gjendet rrëfimi nga Abdullah Ibn Adij Ibn el Hamra se ai e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahutkur qëndroi në Hazuereh, afër Mekës, të thotë: “Për Allah, ti je toka më e mirë e Allahut dhe toka më e dashur për Allahun. Nëse nuk do të më kishin përzënë prej teje, kurrë nuk do të isha larguar.” Imam Tirmidhiu thotë se ky hadith është hasen sahih.[4]

Veçori e saj është se ajo është drejtimi ose kibla e gjithë banorëve të tokës kur falin namazin. Nuk ekziston mbi sipërfaqen e tokës kible tjetër veç saj.

Veçori tjetër e saj është fakti se ndalohet për atë që kryen nevoja personale të kthehet me fytyrë apo me kurriz nga ajo. Mendimi më i saktë në këtë çështje është se ky veprim nuk lejohet qoftë brenda ndërtese, apo në ambient të hapur. Kam sjellë në një vend tjetër, jo këtu, mbi trembëdhjetë argumente që e përforcojnë këtë mendim. Kundërshtarët nuk kanë asnjë argument të fortë, duke mos harruar se edhe ata vetë nuk janë të një mendimi në përcaktimin e ndërtesës dhe ambientit të hapur. Këtu nuk është vendi për të paraqitur argumentet e të dyja palëve.

 

Argument që tregon veçorinë dhe parapëlqimin e Mekës është edhe fakti se Allahu na ka treguar se ajo është ‘Nëna’ e gjithë qyteteve; është qyteti kryesor. Të gjitha vendbanimet e tjera vijnë pas saj e nuk ka asnjë të barabarë me të. Ajo është baza e të gjitha qyteteve. Ajo është si Fatiha-ja, për të cilën Profeti na ka treguar se është ‘Nëna’ e Kuranit,[6]. Për këtë, nuk ka asnjë sure të barabartë me të në Librat hyjnorë.

Karakteristikë tjetër është fakti se askujt, përveç punëtorëve që hyjnë e dalin shpesh në të, nuk i lejohet të hyjë në Mekë pa ihram. Me këtë veçori, asnjë vend i rruzullit tokësor nuk barazohet me këtë qytet. Njerëzit e kanë mësuar këtë çështje prej Ibn Abasit, nga i cili sillet një hadith, me një sened që nuk vlen të merret për bazë, se Pejgamberi ka thënë: “Askush nuk duhet të futet në Mekë pa ihram, qoftë apo jo prej banorëve të saj.” Këtë hadith e ka përmendur Ahmed Ibn Adiji, porse transmetuesi Haxhaxh Ibn Ertahi dhe tjetri para tij, janë transmetues të dobët.

Për futjen në Mekë pa ihram, dijetarët e fikh-ut kanë shprehur tri qëndrime:

  1. Është e ndaluar.
  2. Është e lejuar.
  3. Ka dallim mes atyre që ndodhen brenda pikave të mikatit dhe atyre që gjenden jashtë tyre. Kush gjendet jashtë kufijve të mikatit, duhet t’i kalojë veçse me ihram, ndërsa kush gjendet brenda kufijve të mikatit, trajtohet njësoj si banorët e Mekës.

Qëndrimi i fundit është i imam Ebu Hanifes, i pari është i imam Shafiiut dhe i dyti është qëndrimi i imam Ahmedit.

Veçori e Mekës gjithashtu është edhe fakti se kush vendos të kryejë një të keqe në atë vend dënohet prej Allahut, edhe nëse nuk e kryen atë. Allahu i Madhëruar thotë: “…dhe këdo që bën mend të bëjë ndonjë të keqe a ndonjë mëkat në të, Ne do ta bëjmë të shijojë një dënim të hidhur.” (Haxh 25). Në këtë ajet Allahu kërcënon këdo që planifikon të kryejë diçka të keqe, se do ta bëjë të shijojë dënim të rëndë.

Në këtë kontekst shihet edhe rritja e madhësisë së të këqijave në atë vend dhe jo rritja e numrit të tyre, pasi është e vërtetë që dënimi për çdo të keqe është me një të keqe, porse e keqja e madhe e ka dënimin aq sa përmasa e saj dhe e keqja e vogël e ka dënimin aq sa përmasa e saj. Dënimi për një të keqe të madhe nuk është si dënimi për një të keqe të vogël. Kështu, një vepër e keqe në Vendin e Shenjtë të Allahut, në qytetin dhe sipërfaqen e tij, është më e rëndë se e njëjta e keqe e kryer në çdo skaj tjetër të tokës, sikurse nuk mund të jetë i njëjtë ai që e kundërshton mbretin kur ndodhet në pallatin apo kuvendin e tij, me atë që e kundërshton atë në një vend të largët. Kështu, zgjidhet mosmarrëveshja lidhur me shumëfishimin e të këqijave në Mekë, dhe Allahu e di më së miri.

 

[1] Puthja është e ligjëruar vetëm për Gurin e Zi, kurse për Ruknul Jemani(këndin nga ana e Jemenit) pëlqehet vetëm prekja, siç do ta sqarojë edhe vetë autori në kapitullin e haxhit dhe të umres.

[2] Hadithi nuk ndodhet në “Sunen”-in e Nesait. Ndoshta është në “Sunen el Kubra”. Ahmedi e sjell me sened të saktë. Edhe Ibn Hibani e ka quajtur të saktë.

[3] Është fjala për udhëtimin drejt dy vendeve të tjera të shenjta: Xhamia e Pejgamberit dhe Mesxhidul Aksa, pasi udhëtimi për të kryer ibadet, nuk lejohet veçse drejt këtyre tre vendeve, siç thotë Pejgamberi në një hadith të vërtetë.

[4]  Tirmidhiu, Ahmedi, Ibn Maxha dhe Ibn Hibani. Hadithi është hasen sahih.

[5]  Buhariu 6/290 kapitulli i profetëve, Muslimi 520 në fillim të kapitullit të xhamive.

[6]  Muslimi në “‘Sahih’”, me nr. 395,  ku Ebu Hurejra përcjell se Profeti ka thënë: “Kush falet e nuk lexon “Nënën e Kuranit”, namazi i tij është i mangët”, duke e përsëritur këtë tri herë.  Ndërsa Ahmedi, Tirmidhiu dhe Nesaiu sjellin hadithin prej Ubej Ibn Kabit se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu nuk ka zbritur as në Teurat e as në Ungjill si surja kryesore e Kuranit (Fatihaja). Ajo është surja e shtatë ajeteve që  përsëriten vazhdimisht në çdo namaz. Allahu ka thënë: “Këtë sure e kam ndarë ndërmjet Meje dhe robit Tim. Robit Tim do t’i jap atë që kërkon, duke lexuar lutjen që përmendet në të”. Hadithi është i saktë.

IBN KAJJIM EL XHEUZIJJE
Zadul Mead

©xhamiambret.com

No Comments

No Comments Yet!

You can be first one to write a comment

Leave a comment